logo Shqk

Partneriteti, shkollë-familje-komunitet në DITËT E HAPURA të shkollës “Raqi Qirinxhi“

Partneriteti, shkollë-familje-komunitet në DITËT E HAPURA të shkollës “Raqi Qirinxhi“

Në datën 5 mars 2016, u zhvillua në mjediset e gjimnazit “Raqi Qirinxhi”- Korçë, aktiviteti “DITËT E HAPURA”. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte krijimi i një ambienti miqësor dhe të hapur për të gjithë komunitetin rrethues, duke e kthyer shkollën në një institucion në shërbim të plotë të komunitetit. Nëpërmjet “DITËVE TË HAPURA”, shkolla komunitare synon krijimin e një qasje të re inovative ku partneriteti shkollë-familje-komunitet ndërvepron për të krijuar një kulturë, një filozofi, një politikë dhe një praktikë të re në mbështetje të shkollës gjithëpërfshirëse dhe të hapur për komunitetin. Aktiviteti “DITËT E HAPURA” i zhvilluar në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” nis krijimin e një tradite të shkollës si qendër komunitare, e cila jetëson misionin e saj, duke u kthyer në qendër reale e organizimit të aktiviteteve me pjesëmarrje të gjerë dhe ofrimit të shërbimeve komunitare. Organizatorë ishin drejtoresha e gjimnazit znj. K. Qirinxhi dhe mësuesit znj. T. Ndini, znj. O. Mele e z. R. Naco. “DITËT E HAPURA” u mbështet nga projekti IADSA - “Shkolla Qendër Komunitare”, Universiteti “Marin Barleti”, dhe nga të gjithë mësuesit dhe nxënësit e shkollës “Raqi Qirinxhi”, ndërsa si bashkëpunëtorë të jashtëm ishin nxënës nga shkolla e mesme teknike ekonomike “Isuf Gjata” dhe prindër të përzgjedhur për të trajnuar nxënësit në tema të ndryshme.

Risia e këtij aktiviteti ishte pjesëmarrja e gjerë e prindërve dhe e aktorëve të tjerë të komunitetit. Aktiviteti u organizua në formën e një itinerari në mjediset e shkollës. Në hollin e katit të parë, prindërit të grupuar dhe të orientuar nga dy mësues të shkollës, ndiqnin një guidë prej 16 nxënësish të veshur me uniformë, për t’i njohur ata me mjediset dhe punën e shkollës. Prindërit panë nga afër mjediset e ndryshme që ofron gjimnazi “Raqi Qirinxhi” si: muzeun e shkollës, bibliotekën, klasat inteligjente etj. Ata shfaqën interes për të njohur të gjitha mjediset e shkollës, për historinë e saj, pajisjet dixhitale dhe metodat e reja të mësimdhënies. Pas përfundimit të itinerarit, prindërit lanë përshtypjet e tyre në librin e përshtypjeve dhe u bënë pjesë e kokteilit në një takim miqësor me mësuesit. Koktei ishte përgatitur në bashkëpunim dhe me shkollën e mesme teknike ekonomike “Isuf Gjata” në hollin e katit të parë të shkollës, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore për prindërit.