logo Shqk

Workshop mbi Hartimin dhe Menaxhimin e Projekteve

Workshop mbi Hartimin dhe Menaxhimin e Projekteve

Gjatë dy ditëve të aktivitetit Festivali i Ideve Rinore, të mbajtur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, u shkëmbyen praktika të mira të realizuara në kuadër të reformës për arsimin parauniversitar dhe nismës së shkollës si qendër komunitare. Në prezantimet e ndryshme u prekën temat që lidhen me iniciativat për Zhvillim të Qëndrueshëm që po ndërmerren në shumë vende të rajonit, sikurse dhe ato të nismës Shkolla Qendër Komunitare që po zbatohet sukseshëm në vendin tonë.

Organizata dhe partnerë të ndryshëm iu përgjigjën ftesës për të organizuar gjatë ditëve të Festivalit, prezantime, trajnime e seminare me tematika të ndryshme për nxënës, mësues e prindër. Kështu, në sallën “Kostandin Shpataraku” u prezantua nga përfaqësues të Peace Corps në Shqipëri, trajnimi me temë “Hartim dhe Menaxhim Projektesh”. Qëllimi i trajnimit lidhej drejtpërdrejtë me dhënien e koncepteve dhe aftësive bazë për hartimin dhe menaxhimin e projekteve për nxënësit dhe mësuesit e shkollave të mesme. Në këtë mënyrë nxiten kapacitetet e vetë shkollës për të tërhequr fonde nga projekte apo organizata vendase dhe të huaja, që kanë si mision mbështetjen dhe zhvillimin e arsimit parauniversitar në vend.