logo Shqk

Festivali i Ideve Rinore 2016

Festivali i Ideve Rinore 2016

Festivali i Ideve Rinore u zhvillua nga data 23 deri në 24 maj 2016, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Ceremonia e hapjes zyrtare u bë në prani të Ministres së Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë z. Blendi Klosi, Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, përfaqësues të Agjencisë së Bashkimit dhe Zhvillimit Italo-Shqiptar në Shqipëri znj. Mariarita Capirci dhe personaliteve të tjerë të fushës së biznesit, arsimit dhe shoqërisë civile vendase dhe të huaj në vend.

Ky aktivitet pati si qëllim kryesor përfshirjen e të rinjve gjimnazistë në një mori aktivitetesh, që nga ekspozimi i arritjeve të tyre më të mira në stendat e përgatitura për ta në sallën expo, deri tek konferencat, trajnimet, workshopet dhe seminaret me ekspertë të ndryshëm, si dhe aktiviteteve kulturore e artistike të organizuara nga vetë nxënësit e shkollave.

Një zë të veçantë në këtë aktivitet e zuri dhe shpallja e fituesve te Konkursit Ideve Rinore i lançuar dy muaj më parë për të rinjtë gjimnazistë me qëllim nxitjen dhe promovimin e projekt-ideve më të mira në fusha të tilla si inovacioni, kreativiteti, sipermarrja rinore, aktivizimi social, etj.

Festivali i Ideve Rinore përmblodhi praktikat më të mira të arritura nga shkollat ne kuadër të standardeve SHQK, duke promovuar aftësitë dhe kompetencat e fituara përmes edukimit formal, joformal e informal, me vlerat më të mira sociale, në shërbim të një zhvillimi të qëndrueshëm lokal në themel të të cilit janë të rinjtë, komuniteti dhe shkolla si qendër komunitare.

Festivali i Ideve Rinore 2016

AKTIVITETE TË SHUMTA NË FESTIVALI I IDEVE RINORE 2016

Aktivitete të ndryshme gjallëruan hapësirat e veçanta të Muzeut Historik Kombëtar të dedikuara për secilën tipologji aktivitetsh. Holli kryesor u mbush me stendat promocionale, ku gjimnazet e vendit paraqitën praktikat më të mira të arritura gjatë vitit në kuadër të plotësimit të standardeve të “Shkollës Qendër Komunitare”. Salla e Bibliotekës, u përshtat dhe priti takimet dhe bisedimet me personalitetet, si ambasadorë dhe studentë të vendeve të ndryshme të BE-së të cilët ishin të pranishëm në Tiranë në kuadër të projektit “The New European Citizens – lights and shadows of the European Union’s future through the eyes of the present and future young citizens”.

Në sallën “Kostandin Shpataraku” u zhvilluan workshope e seminare për nxënës e mësues nga ekspertë të ndryshëm të vendit dhe të huaj; ndërsa në sallën e “Pullave” e cila u kthye në një hapësirë për ekspozim punimesh në pikturë dhe arkitekturë, u zhvilluan aktivitete multimedia të realizuara nga vetë nxënësit e shkollave. Gjatë të dy ditëve të festivalit nxënësit projektuan filma me metrazh të shkurtër të realizuara prej tyre e që preknin tematika të rëndësishme sociale. Pjesa më tërheqëse dhe argëtuese ishin aktivitetet që u realizuarn në oborrin e brendshëm të Muzeut Historik Kombëtar. Aktivitetet rekreative përmblodhën aktivitetet, si valle të përgatitura nga grupet e nxënësve valltarë, koncerte të kantautorëve të rinj, minisfida e performanca në violinë, piano e kitarë, skeçe, pjesë të shkurtra teatrale, etj.

Gjatë të dy ditëve aktiviteti pati pjesëmarrjen e qindra nxënësve nga pothuajse të gjitha shkollat mesme të vendit, shumë stenda me projekte rinore, shumë gara kërcimi dhe shumë aktivitete me grupe rinore të përgatitura me kujdes dhe devotshmëri, qindra pyetje dhe diskutime në seminare, workshope e trajnime në një ambient totalisht komunitar dhe evropian.

Ky festival, i pari i këtij lloji për nga përmasat dhe rëndësia pati rreth 1000 pjesëmarrës nxënës dhe mësues të shkollave të mesme në mbarë vendin, si dhe një fluks po aq të madh vizitorësh, si prindër, të rinj dhe anëtarë të komunitetit.