logo Shqk

Festivali i Ideve Rinore 2017

Festivali i Ideve Rinore 2017

Më datë 30 Maj 2017, pranë Piramidës u zhvillua “Festivali i Ideve Rinore 2017” i cili është eventi kryesor vjetor organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS), në bashkëpunim me Institutin Shqiptar për Çështjet Publike, në kuadër të projektit IADSA “Shkolla si Qendër Komunitare”. Në vitin e tretë të organizimit, përveç tematikes “Evropa e qytetareve” dhe tematikave të tjera të larmishme të cilat mundësojnë shpalosjen dhe promovimin e dijes, imagjinatës, kreativitetit dhe produktivitetit të të rinjve shqiptarë, këtë vit u propozua edhe koncepti i STEAM si ndër tematikat kryesore të Festivalit të Ideve Rinore. Në fakt, në një botë që bëhet gjithnjë e më komplekse, ku suksesi përcaktohet jo vetëm nga ajo që individi di, por nga ajo që mund të bëjë me atë që di, është tëpër e nevojshme që rinia shqiptare të pajiset me dijet dhe aftësitë e duhura për të zgjidhur probleme të vështira, për të mbledhur dhe vlerësuar të dhëna dhe për të interpretuar informacione masive. Këto janë aftësitë që nxënësit i fitojnë nëpërmjet lëndëve të shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës , lëndë që njihen kolektivisht nën emërtimin STEAM: (Science, Technology, Engineering Arts and Math).

Festivali i Ideve Rinore 2017

Qëllimi i këtij Festivali është integrimi i aftësive dhe kompetencat e fituara përmes edukimit formal, joformal e informal, me vlerat me të mira sociale, në shërbim të një zhvillimi të qëndrueshëm lokal në themel të të cilit janë, të rinjtë, komuniteti dhe ‘Shkolla si Qendër Komunitare’. “Festivali i Ideve Rinore 2017” edhe këtë vit vjen në trajtë dhe formë si eventi më i madh i organizuar me MAS, jo vetëm në rang vendi, por edhe në nivel rajoni e më gjerë, për prezantimin, promovimin dhe shkëmbimin e praktikave më të mira të realizuara në kuadrin e reformës në arsimin parauniversitar dhe një iniciativë në zbatim të edukimit për zhvillim të qëndrueshëm që po ndërmerret paralelisht në shumë vende të rajonit, si dhe në kuadër të nismës së madhe ‘Shkolla si Qendër Komunitare”.

Festivali i Ideve Rinore 2017

Gjatë ditës së Festivalit u zhvilluan njëherazi aktivitete si:
1. Stenda promocionale
2. Workshope e seminare me eksperte nga vendi dhe jashtë
3. Aktivitete rekreative dhe shpalosja e tyre në hapësira të dedikuara për secilën tipologji aktivitetesh.

Festivali i Ideve Rinore 2017

Protagonistët kryesorë të këtij Festivali ishin të rinjtë, përfaqësues të më shumë se 20 shkollave të mesme nga të gjitha qarqet e vendit, aktorë qëndrorë në udhëheqjen e proceseve të zhvillimit të qëndrueshëm. Gjatë eventit, në stendat e posaçme, nxënësit dhe mësuesit promovuan shkollën, veprimtarinë e saj dhe idetë novatore që burojnë nga nxënësit e shkollës.

Pas fjalës përshëndetëse të përfaqësuesve të Ambasadës Italiane në Shqipëri, Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, pjesë integrale e këtij eventi madhor ishte dhe Konkursi i Ideve Rinore 2017, në kuadër të të cilit u propozuan 24 projekte nga shkolla të ndryshme të vendit. Duke parë cilësinë e projekteve, të propozuara nëpërmjet aplikimit elektronik, Komisioni i posaçëm vendosi të vlerësojë të gjitha shkollat me çertifikatë pjesëmarrje, ndërsa 3 projekte komunitare u shpallën si idetë më të mira. Një vlerësim i veçantë i’u akordua 5 shkollave target te projektit pilot “Shkolla Qendër Komunitare” për bashkëpunimin e tyre 2-vjeçar.